Qendra e Informacionit Aarhus Vlore informon qytetaret per ceshtje mjedisore
Share
Qendra e Informacionit Aarhus Vlorë organizoi në 21 tetor 2011 Workshopin me pjesëmarrjen e përfaqësuesve vendor për informimin e komunitetit në lidhje me gjendjen aktuale të cështjeve kryesore lokale mjedisore si dhe për planet dhe programet që ka pushteti vendor për përmiresimin e gjendjes aktule.
Në këtë takim morën pjesë përfaqësues nga Bashkia e Vlorës, Prefektura e Vlorës, Qarku Vlorë, Komuna Qendër, Ndërmarrja e shëbimeve Publike në Bashkinë e Vlorës, Drejtoria e Shëndetin Publik, Ndërmarrja Pyjore, Universiteti Vlorë si dhe anëtarë te Shoqatave Lokale Mjediore dhe Ambientalistë.
Takimi filloi me një prezantimi te shkurter të Konventës së Aarhusit, dhe detyrimin që kanë institucionet lokale për informimin e komunitetit dhe përfshirjes së mendimit qytetar në vendim-marrje dhe planet e programet e zhvillimit lokal.
Më pas u kalua në diskutimin e cështjeve lokale mjedisore që shqetësojnë qytetin e Vlorës.
N/Kryetari i Bashkisë Vlorë z. Edmond Leka, parashtroi një ekspoze të njërës nga cështjet më problematike mjedisore në qytetin e Vlorës;
- Mungesa e një landfilldi për mbetjet urbane
Në lidhje me këtë ceshtje pati diskutime dhe debate konstruktive midis përfaqësuesve të Bashkisë Vlorë dhe Kryetarit te Komunës Qendër, z. Fredo Berberi, si dhe nga përfaqësuesi i Qarkut Vlorë z. Muhedin Bego.
Gjithashtu pati edhe propozime nga anëtarë të shoqërisë civile dhe u ra dakord që menjëherë pas përzgjedhjes së Kryetarit të Qarkut Vlorë të diskutohet përsëri nga aktorët lokal vendim-marrës për miratimin nga Këshilli i Qarkut të një venddepozitimi të ri. U propozua një vend ne fshatin Sherishtë të Komunës Qendër, në lindje të qytetit Vlorë rreth 8 – 9 km larg, i cili nuk kërkon shumë shpenzime pasi është në formën e një grope natyrale.
- Derdhja e ujrave të zeza në det
Sipas përfaqësuesit te Bashkisë Vlore z. Ardi Musta, janë miratuar fonde nga IPA rreth 2 milionë Euro te cilat do të përdoren për sistemimin e ujrave të zeza. Deri tani Bashkia ka investuar 9 mln euro për menaxhimin e ujrave të zeza, në sistemim dhe mirëmbajtje. është punuar në rrjetet secondare në të gjithë territorin e Bashkisë Vlorë, por fatkeqësisht jo në rrjetet terciale mbasi është shume e vështirë për momentin. Masterplani i ujrave te zeza do të përfshijë dhe rrjetet terciale ne zonat informale ne qytetit dhe do të eleminohet plotësisht derdhja e ujrave të zeza në det. Ky projekt do të zbatohet në periudhen Janar – Dhjetor 2012 dhe do ti japë zgjidhje përfundimtare problemit të ujrave te zeza.
Nga të pranishmit, sidomos nga përfaqësues të Prefekturës dhe shoqërisë civile u ngrit si problem ekzistenca e shtatë kanaleve të ujrave te zeza që derdhen në det në zonën e Ujit të Ftohtë.
Sipas drejtorit të shërbimeve në Bashkinë Vlorë z. Ardian Musta: “ Mbyllja e këtyre kanaleve është e pamundur për momentin, mbasi qytetarë të papërgjegjshëm që kanë ndërtuar shtëpi pa leje në zonën e Ujit të Ftohtë, nuk kanë bërë lidhjen me rrjetin secondar të ujrave te zeza por i derdhin ujrat në përrenjtë e vegjël afër shtëpive të tyre, të cilët derdhen në det. Para fillimit të sezonit turistik kanë qenë 12 kanale që derdheshin në det dhe ne i kemi reduktuar ato në 7” – përfundoi ai.
Drejtoresha e Shëndetit Parësor Publik znj. Brunilda Ndreu theksoi se ka në përmirësim të dukshëm të situatës për sa i përket cilësisë së ujit të detit dhe ne këtë fenomen e vumë re në uljen e rasteve të epidemologjisë, por megjithatë niveli i ndotjes në det mbetet i lartë. Gjithashtu duhet ndaluar urgjentisht djegia e mbeturinave mbasi ka pasoja të tmerrshme në shëndetin e qytetarëve sidomos në shtimin e sëmundjeve respirare – përfundoi ajo.
Në fund të takimit u vendos që në cdo dy muaj të mbahet një sesion informues me aktorët Lokal Vendim-marrës për qytetarët në lidhje me cështjet mjedisore lokale.
Back




